Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i shoqëruar nga deputetët e kësaj partie e kryetarë komunash, kanë bërë homazhe në kompleksin Memorial në Prekaz.Nga aty, Krasniqi tha se në këso datash duhet vizituar Prekazi siç e quajti ai Prekazi i lavdisë që i dha drejtim luftës së UÇK-së.
“Datat 5,6 dhe 7 mars shënojnë ditët kur ka lindur liria e Kosovës dhe qytetarëve tonë, andaj si çdo shqiptar tjetër e konsiderojmë obligim për të ardhur këtu në Prekazin e Lavdisë së familjes Jashari për të treguar respektin tonë të përjetshëm, vlerësimin e pafundëm për sakrificën e tyre titanike e cila i dha drejtim luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që mundësoi edhe masovizimin e radhëve të UÇK-së por edhe rrugën e çlirimit për ta gëzuar lirinë që e kemi sot”, tha Krasniqi.Ai përmendi edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për të cilët tha se ndjehet mungesa e tyre.
“Padyshim që në ditë të shënuara si kjo, ne në këto vitet e fundit e ndjejmë shumë mungesën edhe të themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre të cilët janë të privuar nga liria dhe po mbahen larg nesh, andaj në ditë të tilla besojmë që çdo shqiptar para se gjithash duhet ta kujtojë dhe ta vlerësojë në mënyrën më të veçantë këtë sakrificë të familjes Jashari, por po ashtu edhe jetën që e ka dhënë secili dëshmor i luftës çlirimtare të UÇK-së”, tha Krasniqi.