Kandidatja për Kuvendin Komunal të Gjilanit nga PDK, Mrika Krasniqi-Shala, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e varrezave publike në qytet, duke i quajtur ato të lëna pas dore dhe të padenja për qytetarët.
Ajo është zotuar se do të angazhohet për mirëmbajtjen, ndriçimin dhe krijimin e hapësirave të reja në varreza, në mënyrë që familjet të kenë një vend të dinjitetshëm për të kujtuar të dashurit e tyre.
Statusi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Varrezat janë vendi ku prehen më të dashurit tanë, prindërit, gjyshërit, vëllezërit, motrat dhe miqtë që s’janë më mes nesh. Ato nuk janë vetëm hapësira, por janë kujtesa jonë kolektive dhe shenjë e respektit ndaj jetës dhe të ndjerëve.
Sot, me dhimbje dhe shqetësim shoh gjendjen e mjerueshme të varrezave tona në Gjilan: të pa mirëmbajtura, të errëta, të mbuluara nga barishtet e të lëna pas dore. Kjo është fytyra e një qeverisjeje që nuk e ka pasur kurrë prioritet dinjitetin e qytetarëve – as kur janë gjallë, as pas vdekjes.
Si kandidate për Kuvendin Komunal nga PDK, unë e ndjej për obligim moral dhe njerëzor të ngre zërin: kjo situatë nuk mund të vazhdojë më. Familjet tona meritojnë të kenë një vend ku të kujtojnë me respekt e dinjitet të dashurit e tyre.
Unë zotohëm se do të angazhohem për:
*Mirëmbajtjen e përhershme të varrezave publike.
*Ndriçimin dhe rregullimin e infrastrukturës për vizitorët.
*Hapësira të reja dhe të planifikuara, sidomos në fshatra.
*Respekt dhe transparencë në çdo investim që lidhet me këtë çështje të ndjeshme.
Respekti për të vdekurit është pasqyra më e vërtetë e respektit për të gjallët. Gjilani meriton dinjitet dhe kujdes në çdo hap të jetës, deri në vendin e fundit të prehjes.
Mrika Krasniqi Shala
Kandidate për Kuvendin Komunal të Gjilanit – PDK