Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se kjo seancë është thirr meqë po shihet se ka lëvizje në dialog, derisa shtoi se debati i thirrur nga PDK nuk ka për qëllim përplasjen në mes të opozitës me pushtetin, por informimi rreth këtij procesi.
“Dialog me epilog, njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, kjo është ajo çka do të duhej të arrinim me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha Krasniqi.
Ai gjatë prezantimit të kërkesës për thirrjen e seancës për të diskutuar për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, tha se është evidente se Kosova është nisur kësaj rruge por shtoi se nuk dihet ku ka mbetur.
“Do të kishte qenë e udhës që Qeveria të na thirrte për këtë të na njoftonte në mënyrë episodike sepse një Qeveri e përgjegjshme e ndërgjegjshme këtë do të duhej ta shtronte në një rrafsh shoqëror, parimor e pragmatik e jo dogmatik. Në rast nevoje edhe të na kërkonte ndihmë e bashkëpunim me aq sa kemi potencial sepse përballë Serbisë e aspiratave të saj mes nesh nuk ka dallim. Përballë Serbisë jemi bashkë”, tha Krasniqi.
Megjithatë ai e kritikoi Qeverinë që nuk e ka bërë një informim të tillë, duke thënë se arsyeja e ftesës së kësaj seance është informimi.
“Por ja qenë u desh ta thërrasim Qeverinë sepse po shohim që ka pas lëvizje në dialog dhe si qytetarët edhe ne jemi të painformuar për to dhe pasojat që ato mund të prodhojnë.
Andaj kjo seancë nuk ka karakter të përplasjes por informimit me atë se çka po ndodh në dialog dhe cili është pozicioni i qeverisë në këtë mes”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se ka disa kërkesa për Qeverinë në rast të arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë:
1. Ruajta e karakterit unitar sipas Kushtetutës,
2. Njohja formale nga 5 shtetet mosnjohëse të BE
3. Nisja e procesit të anëtarësimit në NATO
4. Marrja e statusit të shtetit kandidat në BE dhe
5. Njohja e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë.