Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se ka nominuar Bedri Hamzën si kandidat të PDK-së për kryeministër të vendit.
Krasniqi tha se Hamza si personalitet i dëshmuar është përgjigjja ndaj thirrjeve të qytetarëve për jetë dhe të ardhme të sigurtë.
“Sot, kam nominuar Bedri Hamzën si kandidat të Partisë Demokratike të Kosovës për Kryeministër të vendit tonë. Si një personalitet i dëshmuar, Bedriu është përgjigjja jonë ndaj thirrjeve të qytetarëve për jetë, mirëqenie dhe të ardhme më të mirë e më te sigurt! Të priftë e mbara, Kryeministër”, ka thënë ai.
I pari i PDK-së në konferencë për media ka thënë se nominimi i Bedri Hamzës për kryeministër të vendit nuk nënkupton shmangien e tij nga përgjegjësia e kryetarit të PDK-së.
Duke theksuar se tashmë është koha që Kosovës t’i jipet një qeveri siç tha ai, kompetente, vizionare dhe që mendon për secilin qytetarë.
“Kjo nuk nënkupton se unë si kryetarë po e shmangi një përgjegjësi. Sot nuk është koha e ambicieve personale, sot nuk është koha e protagonizmave liderist, sot është koha për të mbledhur në një vend gjitha potencialet e vendit tonë për t’i dhënë Kosovëv një qeveri të re kompetente vizionare dhe që mendon për secilin qytetarë”, tha Krasniqi.
Derisa theksoi se ai dhe partia të cilën e udhëheqë do të bashkëpunojnë me të gjithë ata të cilët sipas tij, dëshirojnë t’i japin Kosovës një drejtim të ri.
“Një qeveri që udhëheq me modesti e pa arrogancë, me frymë ekipore gjithëpërfshirëse kjo është mënyra si unë e përceptoj shërbimin publik. Në këtë drejtim do të bashkëpunojmë me të gjithë ata që dëshirojnë t’i japin Kosovës një drejtim të ri . Unë dhe PDK jemi përkushtuar në këtë qëllim, kjo është arsyeja pse sot e shpalli Bedri Hamzën si kandidatin tonë, si kryeministrin e ardhshëm të Kosovës. Përtej PDK-së Bedriu na bashkon të gjithëve dhe Bedriu do të punojë për të gjithë”, shtoi tutje Krasniqi.