Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vizituar në Hagë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e kuvendit, Kadri Veselin.
Krasniqi tha se edhe në këtë vizitë, në çdo fjalë të tyre e ndjeu të gjallë bindjen e palëkundur se drejtësia për çlirimtarët po afrohet.
“Nuk mund të jetë ndryshe për ta dhe shokët e tyre, që mbi supet e veta bartën vetëm atë që populli kërkoi: luftën për liri. Liria, askund e asnjëherë, nuk është as mëkat e as faj. Ata janë mirë, optimistë dhe, si gjithmonë, dërgojnë përshëndetjet më të ngrohta për secilin prej jush”.
“Janë me Kosovën në çdo orë e çdo ditë. Gëzojnë për çdo lajm të mirë dhe ndajnë dhembjen me ne kur lajme të tjera rëndojnë mbi popullin tonë. Por, mbi të gjitha, besojnë fuqimisht në një të ardhme më të ndritur për vendin tonë, një të ardhme që ndërtohet me punë, me vizion dhe me vullnet të pathyeshëm”, shkroi Krasniqi.
Tutje, ai shkroi se koha do ta nxjerrë të vërtetën në dritë dhe sipas tij, drejtësia, sado e vonuar, do të triumfojë mbi çdo paderjtësi.
“Në fjalët e Presidentit Thaçi: Dielli do të lind përsëri”, shkroi Krasniqi.