Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
I pari i PDK-së tha se shënimi i 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nuk mund të ishte i plotë pa i uruar Thaçin e Veselin.
“Shënimi i 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nuk mund të ishte i plotë pa i uruar ata që tërë jetën punuan e sakrifikuan për lirinë që e gëzojmë sot dhe që ngritën themelet e shtetit tonë – Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Javën e Pavarësisë e përmbylla në Hagë, aty ku çlirimtarët e Kosovës po zhvillojnë betejën e tyre të fundit për të vërtetën e luftës së drejtë të popullit tonë për liri e pavarësi. Duke rikujtuar së bashku momentin dhe emocionet e 17 Shkurtit të vitit 2008, por edhe aspiratat që i kemi përmbushur në vijim, urova që Hashim Thaçi e Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi dhe të gjithë çlirimtarët e tjerë t’i kemi në Kosovë në festat e ardhshme, si triumfues e fitimtarë. Përherë falënderues për kontributin e tyre të pashoq për Kosovën!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.