Prokuroria Themelore në Ferizaj njoftoi se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të dyshuarit e përfshirë në rastin e njohur si “Brezovica”.
Më 6 janar, Policia e Kosovës bastisi nëntë lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë, përfshirë edhe disa zyra të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në këtë aksion janë arrestuar shtatë persona, përfshirë edhe zyrtarë të kësaj ministrie. Në mesin e personave të arrestuar janë edhe kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi dhe Mustafë Hyseni, raporton Gazeta Sinjali.
Në prangat e Policisë gjatë aksionit të djeshëm përfundoi edhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Arben Çitaku, i cili po dyshohet për “Marrje ryshfeti” dhe “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari, tha në një konferencë për media, se të arrestuarit dyshohen për veprat keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.
“Me vendim të prokurorit, sot është ndaluar për 48 orë Bedri Halimi, kryeinspektor i Ministrisë së Mjedisit nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjithashtu është ndaluar ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe marrje të ryshfetit. Gjithashtu me vendim të prokurorit është ndaluar edhe një qytetar, respektivisht një investitor në Brezovicë nën dyshimin se ka kryer veprën penale ushtrim i ndikimit dhe marrje e ryshfetit”, tha Jashari.
Aksioni i djeshëm ishte vazhdimësi e hetimeve të 21 dhjetorit të vitit 2021, me ç’rast u arrestuan dhjetë persona, përfshirë edhe ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, i cili dyshohet për dhënien në mënyrë të kundërligjshme të lejeve të ndërtimit në Brezovicë.
Prokurori i çështjes, Rasim Maloku tha se shuma e ngrirë, dyshohet se është përfituar përmes veprave penale.
“Ajo çka është më e rëndësishme, gjatë zhvillimit të hetimeve prej 21 dhjetorit deri sot, nga të dhënat financiare që kemi siguruar nga bankat që posedojnë këta të pandehur dhe familjarët e tyre, deri më tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro”, tha ai.
Ndërkaq, kapiteni i Policisë së Kosovës, Agron Haziri, tha se përveç të arrestuarve, një është liruar, tre persona janë ndaluar me 48 orë dhe pesë persona janë në kërkim policor.
Ai tha se gjatë aksionit janë sekuestruar dokumente, vetura, armë, kompjuterë, telefona dhe një uniformë e policisë së ish-sistemit jugosllav.
Ndërkaq, në xhirollogaritë e të pandehurve tha se përveç 5,389,000 eurove janë ngrirë edhe 86,146 dollarë amerikanë.
Prokurori i çështjes sqaroi se në Minstrinë e Mjedisit janë marrë një sërë dokumentesh përfshirë leje ujore dhe mjedisore.
Ndërkaq, sa i përket konfiskimit të përkohshëm të pronave të dyshuara që janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme në Brezovicë, Prokuroria tha se ende po heton për të gjetur pronarët faktikë dhe juridikë të tyre.
Në fund të dhjetorit të vitit 2021, Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.
Nikolliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë vila, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e vilave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar “Sharri”, ku gjendet edhe Brezovica.
Brezovica është e njohur për qendrën e skijimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.