Dy figurat kryesore të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot janë vënë në pranga. Kreu i kësaj organizate, Hysni Gucati, është arrestuar në mëngjes në zyrën e tij nga policë të EULEX’it, derisa nënkryetari i saj, Nasim Haradinaj, është arrestuar nga hetues të Speciales në hyrje të Televizionit 7, ku kishte qenë i ftuar për intervistë.
Selia e Organizatës së Veteranëve të UÇK’së në lagjen Qafa u bastis mëngjesin e sotëm nga rreth 50 policë ndërkombëtarë, të maskuar e të armatosur. Këta policë qëndruan për disa orë brenda zyreve të veteranëve, derisa kur dolën morën me vete edhe kryetarin e kësaj organizate, Hysni Gucatin. Ai u nxorr jashtë i prangosur nga dhjetëra policë të EULEX’it.
Deri tash nuk dihet arsyeja pse Gucati është arrestuar dhe Tribunali Special akoma nuk ka lëshuar ndonjë njoftim. Express ka pyetur Prokurorinë e Hagës për arsyen e bastisjes dhe arrestimit të kreut të veteranëve, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të tekstit.
Ndaj Gucatit nuk ka pasur aktakuzë të ngritur nga Haga. Ai madje nuk ka qenë asnjëherë as i intervistuar nga prokurorët e Hagës.
Aludohet se arsyeja mund të jetë çështja e publikimit të dosjeve, që e ka bërë OVL-ja e UÇK-së.
Pas arrestimit të Gucatit, reagoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka qenë komandant i UÇK-së dhe i gjykuar nga Tribunali Ndërkombëtar në Hagë.
Haradinaj tha se nuk është dashur të publikoheshin dosjet e Gjykatës Speciale dhe nuk duhet të jepet imazhi sikur Kosova po e pengon drejtësinë.
“E ritheksoj qëndrimin tim, se publikimi i dosjeve të Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar dhe se do ta dëmtojë më së shumti shtetin tonë, përfshirë edhe vet të akuzuarit. Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë është i gabuar. Ne nuk kemi qenë e as nuk jemi në anën e kundërt të drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Por, Gucati nuk është i vetmi që u arrestua sot. Nën pranga u vu edhe nënkryetari i kësaj organizate, Nazim Haradinaj.
Haradinaj është arrestuar derisa ishte duke ardhur në zyrat e televizionit T7 për intervistë.
Ai nuk ka pranuar që të futet në veturën e hetuesve të Speciales dhe ka pritur derisa kanë ardhur pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
“Nuk shkoj me ta, vetëm me policinë e Kosovës”, tha Haradinaj për Express.
Për arrestimin e tij, ai e ka fajësuar gazetarin Vehbi Kajtazi.
Arrestimin e tij e kanë përcjellë nga afër qytetarë të shumtë, të cilët e kanë përcjellë me duartrokitje.
Ndryshe, java e fundit ka qenë përplot zhvillime në raport me Tribunalin. Shoqata e Veteranëve të Luftës ka vazhduar me publikimin e disa dosjeve që kanë rrjedhur prej Tribunalit. Një person i paidentifikuar ka dërguar në seli të Shoqatës mijëra faqe të dosjeve.
Dosjet e Tribunalit Special konsiderohen konfidenciale dhe madje me ligj dënohet secili zbulim i personave që në çfarëdo forme janë pjesë e hetimeve të Prokurorisë së Hagës. Pas secilës herë që OVL-ja publikonte dosje, policë të EULEX-it dhe hetues të Speciales bastisnin zyrat e tyre dhe konfiskonin dosjet. Sot, policia mori edhe Gucatin me vete.
Nga dokumentet që publikoi OVL-ja, e që nuk dihet nëse janë origjinale, u zbuluan emra të dëshmitarëve të mbrojtur, emra të të akuzuarve, llojet e akuzave e shumëçka tjetër. Disa prej tyre u publikuan nga një medium në Shqipëri.
Tribunali Special ka kryer dje arrestimin e parë. Ish-eprori i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, Salih Mustafa, është arrestuar dhe transferuar për në Hagë. Prokuroria Speciale ka lëshuar njoftim se arrestimi i tij u bë në bazë të aktakuzës së ngritur./Gazeta Express