Filmi “Krejt e thirrin Rexhën”, regji nga Ibër Dehari, pas pjesëmarrjeve në shumë festivale brenda dhe jashtë vendit, vjen për herë të parë me prezantim në Gjilan. Premiera e filmit do të mbahet më 25 Dhjetor, në orën 20:00, në Teatrin e Qytetit Gjilan. Zhanri i tij është dramë-komedi.
Filmi tregon historinë e Rexhës, mjeshtrit të fundit që ka mbetur në një vend ku mjeshtrat e tjerë janë larguar në emigracion. Ai shkon shtëpi më shtëpi për të ndihmuar me punë mjeshtrie, duke sjellë gjithashtu rrëfime për jetën e njerëzve, hallin e tyre, qeshjet që lindin nga absurdi dhe realitetin e jetës që rri pezull ndërmjet ikjes dhe qëndrimit. Me humor të hidhur dhe grotesk, filmi shpalos plagën e emigracionit, boshatisjen e shtëpive, mpirjen e fjalëve dhe kujtimet që mbeten, të cilat Rexha i rrëfen për të gjithë.
“Krejt e thirrin Rexhën” është një pasqyrë e hidhur e kohës sonë, ku njeriu punon, rri me shpresë dhe rrëfen për të mos u harruar.
Për shkak të interesimit të madh, nuk do të ketë rezervime bileta; ato mund të blihen vetëm në biletarinë e Teatrit të Gjilanit. Organizatorë të prezantimit janë Mobikino dhe Ernest Zymberi.
📞 Për më shumë informacion: 045 222 525

