Presidentja,Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca të shoqëruar edhe nga ambasadori, William Walker, ish-kryesues i Misionit Verifikues në Kosovë në vitet ’99, kanë bërë homazhe pranë Kompleksit Memorial në Reçak.
Pas nderimeve, liderët do të marrin pjesë edhe në akademinë përkujtimore që mbahet me rastin e 24-vjetorit të Masakrës së Reçakut.
Edhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka bërë homazhe tek varret e të vrarëve në Reçak.
Qytetarë të shumtë janë mbledhur prej orës 09:00 për të kujtuar viktimat e masakrës se Reçakut që ndodhi 24 vjet më parë.
Ndryshe, më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.