Katër persona janë prangosur nga Policia e Kosovës në një aksion të zhvilluar në rajonin e Gjilanit e Kamenicës, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, Policia ka njoftuar se tre nga të dyshuarit janë zyrtarë të Komunës, ndërsa i katërti është pronar i një kompanie.
Ata dyshohet se kanë manipuluar me një tender në vlerë të 35 mijë eurove për furnizim për shkolla në Kamenicë.
Të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe “Keqpërdorim dhe Mashtrim në Prokurim Publik”.
Sipas njoftimit të policisë, anëtarët e komisionit të Komunës, zyrtarët me inicialet P.J., I.Z. dhe F.D., dyshohen se kanë nënshkruar pranimin e mallit, pa ardhur fare malli për të cilin kishin hapur tender, duke i mundësuar pronarit të kompanisë A.K., që të përfitojë mbi 35 mijë euro.
“Me këto veprime të dyshuarit me iniciale (P.J., I.Z. dhe F.D), dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i Pozitës apo autoritetit zyrtare’, ndërsa i dyshuari me iniciale (A.K.) pronar i kompanisë dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme në vlerë mbi 35 mijë €uro, për tenderin në fjalë, pasi që i njëjti nuk i është përmbajtur kontratës dhe deri tani nuk ka bërë furnizimin me mall, me çka dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në Prokurim Publik’”, thuhet ndër të tjera në kumtesë.