Interi ka arritur akordin me Asllanin, për të firmosur një kontratë 5-vjeçare, me pagë 1.2 milionë euro në sezon, teksa kanë mbetur për t’u sistemuar detajet e fundit të marrëveshjes me Empolin.
Në arkat e klubit toskan do të shkojnë 14 milionë euro dhe të paktën një futbollist nga ekipi i të rinjve në huazim, teksa pikërisht sot do të mbahet edhe takimi vendimtar mes dy klubeve, për të mbyllur njëherë e mirë marrëveshjen.
Duke folur për mediat pranë klubit zikaltër, ish mbrojtësi i Interit, Giuseppe Bergomi deklaroi se Asllani është një “fiksim” i vjetër i Piero Ausilios, i cili ka vendosur ta sjellë patjetër në Milano.
“Asllani është një zgjedhje e Ausilios, që e ndjek prej kohësh dhe tani ka këmbëngulur për ta marrë në Milano. Duhet një zëvendësues i Brozoviç dhe Asllani do të niset nga pankina, për të shfrytëzuar rastet e tij e për t’u rritur gradualisht”, u shpreh Bergomi.