I lindur në vitin 1996, kishte bërë disa variacione për të arritur të merrte leje qëndrimin në Gjermani.
Kosovari po akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se u paraqiti autoriteteve gjermane një certifikatë të falsifikuar të lindjes, e cila dëshmonte se ai kishte lindur në vitin 1999.
Certifikata që dyshohet se u lëshua nga Ofiqaria e Komunës së Prishtinës, i kishte mundësuar kosovarit që tek autoritetet gjermane të paraqitej si i mitur dhe të njëjtit mos ta kthenin në Kosovë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ëndrra për të qëndruar në Gjermani ishte shuar kur autoritetet gjermane kërkuan që të verifikonin certifikatën e tij në Ambasadën e Kosovës në Frankfurt.
Gjatë verifikimit ishte konstatuar se kosovari kishte lindur më 1996 ndërsa certifikata e falsifikuar ishte lëshuar në Zyra e Gjendjes Civile e Komunës së Prishtinës në Dardani.
Zyrtare në këtë qendër po akuzohet nga Prokuroria se lëshoi certifikatën e falsifikuar.
Në gjyqin e mbajtur nuk ka pranuar fajësinë ndërsa ka thënë se certifikata ka mundur të lëshohet edhe nga kolegët e saj me të cilët ajo nuk kishte marrëdhënie të mira.
Për ta dëshmuar se nuk ishte në zyrë në kohën kur është lëshuar certifikata ka propozuar një dëshmitar nga Ministria e Punëve të Brendshme i cili do ftohet në gjykatore në seancën e radhës.