Për muaj të tërë deputetët morën paga, ndonëse nuk arritën ta konstituojnë kuvendin.
Por nëse kjo bllokadë vazhdon, arka e shtetit s’do të ketë para që t’i paguaj as ata, e as rreth 80 mijë punonjës të tjerë sa konsiderohet se ka sektori publik.
Data 31 i këtij muaji, është edhe data e fundit kur projektbuxheti për vitin e ardhshëm, do duhej të miratohej në kuvend.
Por veç një legjislature joaktive, vendi aktualisht s’ka as qeveri legjitime që do e procedonte tutje projektbuxhetin.
‘’Në rast se nuk ka miratim të ligjit për buxhetin e vitit 2026 janari dhe shkurti munden me vepru me ligjin e vitit 2025 vetëm sa i përket pjesës së pagave të punëtorëve por edhe për këtë normalisht që duhet me pas kuvend të konstituuar për ta votu një ndryshim i ligjit aktual sa i përket janarit dhe shkurtit pra për pagat e punëtorëve por në çdo rrethanë siç e kemi pa kuvend dhe pa qeveri legjitime po rrezikojmë që Kosovën me lënë pa buxhet dhe punëtorët pa paga’’, tha Demhasaj.
Njohësit e punës së kuvendit thonë se edhe shumë projekte tjera, fare lehtë mund të pezullohen, në mungesë të parave.
‘’Prej një janarit asnjë cent i buxhetit nuk guxon të përdorët nëse nuk ka ligj për buxhet, pra krejt projektet të cilat janë në zbatim, prej një janarit bllokohen për shkak se nuk ka mjete financiare , nuk ka buxhet të konsolidum që munden të vazhdohen dhe implementohen ato projekte’’, tha Demhasaj.
‘’Nuk do të mbërrijnë të adresohen kërkesat buxhetore të komunave, të agjencive të pavarura dhe të qytetarëve të ndryshëm të cilët kanë bërë kërkesa ta zëmë për çështje mjedisore, ujore, të infrastrukturës apo bujqësisë e gjëra të tjera të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve’’, tha Jakaj.
Këta vlerësojnë se këso bllokade, shteti nuk ka pasur ndonjëherë, teksa shtojnë se deputetët do të duhej t’i lënin anash inatet politike, meqë vendi po shkon drejt kolapsit, pasojat e të cilit mund të jenë afatgjate./atv/