Sot, në objektin e KRU Hidromorava, Kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, së bashku me Kryeshefin Ekzekutiv të KRU Hidromorava, z. Ymer Salihu, nënshkruan dy marrëveshje të rëndësishme:
* Marrëveshjen për shërbimet e ujësjellësit dhe ujërave të ndotura; dhe
* Marrëveshjen e bashkëpunimit për financimin e projektit për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Cernicë të Komunës së Gjilanit.
Këto marrëveshje përfaqësojnë një hap të madh për përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësit në Komunën e Gjilanit, si dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët e fshatit Cernicë, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurtë me ujë të pijshëm.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Kryetari z. Alban Hyseni, theksoi rëndësinë e këtyre marrëveshjeve, duke vënë në dukje se investimet në infrastrukturën e ujit janë jetike për zhvillimin e qëndrueshëm të komunës dhe për mirëqenien e qytetarëve. Ai falënderoi të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtyre projekteve, duke shprehur besimin se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet komunës dhe KRU Hidromorava do të vazhdojë të sjellë përfitime të mëtejshme për përmirësimin e infrastrukturës së rrjetit të ujësjellësit dhe mirëqenien e qytetarëve të Gjilanit.
Nga ana tjetër, Kryeshefi Ekzekutiv, z. Ymer Salihu, vlerësoi përkushtimin e komunës për të avancuar projektet e rëndësishme infrastrukturore në rrjetin e ujësjellësit. Ai siguroi se KRU Hidromorava do të vazhdojë të punojë me përkushtim të plotë për të realizuar projektet e parapara dhe për të ofruar shërbime cilësore për të gjithë konsumatorët e KRU Hidromorava Sh.A Gjilan.