Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, gjatë një fjalimi në Bundestag për 75 vjetorin e Këshillit të Europës, ka përmendur edhe kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.
Duke folur për vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës dhe institucioneve të saj, Baerbock tha se organizata tërheq edhe demokracinë më të re në Evropë – Kosovën.
“Kjo është fuqia që qëndron në instrumentet e Këshillit të Evropës – tani Këshilli ynë i Evropës. Dhe e cila, meqë ra fjala – nuk duhet ta harrojmë këtë kur flasim për vlerat dhe të drejtat në këto kohë – është një forcë që rrezaton edhe në vende të tjera dhe që i bën institucione si Këshilli i Evropës kaq tërheqëse. Si Kosova, demokracia më e re në Evropë, e cila i përket Këshillit tonë të Evropës”.
Shefja e diplomacisë gjermane bëri thirrje që të sigurohet mbështetja e nevojshme për anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe u kërkoi edhe bartësve të institucioneve në Kosovë që të angazhohet që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt.
“Prandaj i bëjmë thirrje – dhe jam vërtet mirënjohës për punën intensive të parlamentarëve demokratë dhe grupeve politike që po bashkohen këtu – të gjithë të përfshirëve dhe përgjegjësve në Kosovë që të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar që të kemi shumicën e nevojshme për arritjen e anëtarësimit së shpejti”, tha ajo në Bundestag, që u pasua me duartrokitje.
Ministrja për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se i kanë dërguar një letër Këshillit të Eurppës ku konfirmojnë zotimin se po përgatisin draft-statut për themelimin “një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.
Ky draft do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.