Kushtrim Kadriu, kryesues i Kuvendit Komunal të Gjilanit, është ankuar se kryetari Alban Hyseni po e pengon punën e kuvendit.
Ai në një shkrim në “Facebook”, ka shkruar se Hyseni, ka përplasur për tavoline telekomandat e regjisë.
“Alban Hyseni në vazhdimësi ka penguar punën e kuvendit komunal. Siç duket, suksesi i madh i kuvendit duke dalë si më i suksesshmi në nivel republike dhe ai, si kryetar i komunës duke mbetë në fund të listës po reflekton arrogancë tek ai. Në fillim të mandatit, ai rraste duart në mikrofonat e kuvendit dhe pengonte fjalën e lirë, tani përplasi për tavoline telekomandat e regjisë ku edhe i dëmtoi ato“, tha ai.
Ai tha se këto pajisje që kryetari përplasi janë blerë me paratë e popullit.
“Natyrisht, ne duhet durojmë edhe një arrogancë të tillë, sepse populli i Gjilanit eksperimentoi dhe e zgjodhi në krye dikë që as pas tri vjetë mandat nuk po di nga t’ia mbajë. Në fakt, ende nuk po di nga t’ia nisë. Duhet ta durojmë edhe kur i përplasë pajisjet (e kuvendit) që s’i dhimbsen sepse ato janë blerë me paratë e popullit dhe jo me të tijat. Me gjasë, e ka humbur arsyen tërësisht.
Sot, i çoroditur fliste e përziente kompetencat e tij me kompetencat e kuvendit. Për besë, kërkush nuk i ka faj. “Me pas qenë lehtë me mbajtë shpi, Kola jem i kish mbajtë tri”, ndërsa ky zotëriu ka marrë përgjegjësi për mijëra shtëpi të kësaj komune“, ka shkruar Kryekuvendari i Gjilanit.