Kryeministri Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham.
Në letrën e tij, Burnham ka vlerësuar marrëdhëniet e ngushta dhe partneritetin e kahershëm ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke ritheksuar mbështetjen britanike për zhvillimin e Kosovës si shtet sovran, i pavarur dhe shumëetnik.
Ai ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar është krenare që ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës.
“Jemi krenarë që kemi qenë ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës. Ne mbetemi mbështetës të palëkundur të zhvillimit të vazhdueshëm të Kosovës si shtet sovran, i pavarur dhe shumëetnik, si dhe e vlerësojmë lart bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm në promovimin e stabilitetit dhe sigurisë në Evropë”, shkroi ai.
Burnham ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e drejtësisë ndërkombëtare, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit si elemente thelbësore për arritjen e pajtimit të qëndrueshëm.
“Ne e inkurajojmë fuqishëm Kosovën që të përmbushë zotimin e saj për mandatin e plotë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si një dëshmi e rëndësishme e pjekurisë së saj demokratike dhe përkushtimit ndaj drejtësisë së pavarur dhe të paanshme për të gjithë”, theksoi ai në letër, transmeton Klankosova.tv
Në fund të letrës, kryeministri britanik ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Kurtin në adresimin e sfidave kryesore të Evropës dhe zgjerimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.
Ai ka përmendur në veçanti forcimin e ekonomive dhe luftimin e krimit të rëndë të organizuar si fusha me interes të përbashkët.










