Kryeministri i vendit Avdullah Hoti, ka thënë se Raporti për Kosovën që erdhi nga Komisioni Europian, nxjerr në pah se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave.
Megjithatë në një adresim për media, i shoqëruar nga Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, Hoti u shpreh se korrupsioni dhe krimi mbeten akoma problem, njofton Klan Kosova.
”Raporti tregon se është bërë progres”.
”Arritja më e madhe e Kosovës në këtë proces është marrëveshja e Stabilizim Asociimit e prillit 2016-të. Raporti me të drejtë nxjerr në pah se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizmin e vizave, qysh nga korriku i vitit 2018”, është shprehur Hoti.
Tutje, ai e komentoi edhe aksionin e Policisë së Kosovës në Karaçevë kur foli për luftën kundër korrupsionit.
”Krimi dhe korrupsioni mbetet problem në vete. Por, brenda vetëm katër muajve qeverisje është larguar nga qeverisja. Në javët e fundit, keni pa veprime të fuqishme të policisë që s’i kemi parë në dhjetë vitet e fundit. Rezultate të tilla nuk kemi parë që disa qeveri me radhë”.
Ai gjithashtu tha se raporti tregon se në Kosovë respektohet të drejtat e njeriut dhe ka liri të mediave.
”Të drejtat e njeriut po respektohen tërësisht. Gjithashtu raporti tregon se ka edhe liri të mediave”.