Edhe tre javë në Kosovë do të fillojë viti i ri shkollor, dhe ndonëse kjo periudhë po afrohet, ministria e Arsimit po kritikohet për mungesën e një plani për formën e mbajtjes së mësimit.
Kryeministri Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ministria bashkë me IKSHP-në janë duke përgatitur udhëzuesin për organizimin e vitit të ri shkollor, shkruan Reporteri.net.
Sidoqoftë, Hoti ka thënë se vendimi final për hapjen e shkollave do të ndikohet nga gjendja epidemiologjike.
Postimi i Hotit:
Në përputhje me vendimin e Qeverisë të datës 28 korrik 2020, MASH dhe IKSHP po përgatisin udhëzuesin për mënyrën e organizimit të vitit të ri shkollor nga 1 shtatori. Po studiohen përvojat e vendeve të tjera.
Sigurisht se vendimi final për hapjen e shkollave do të ndikohet nga gjendja epidemiologjike.
Në procesin e vendimmarrjes do të përfshihen plotësisht komunat, të cilat do të kenë përgjegjësi që të zbatojnë udhëzimet. Gjatë javës që vjen, do të jemi në kontakt me kryetarët e komunave dhe drejtorët për arsim për të diskutuar modalitetet e mundshme të fillimit të vitit shkollor.
Jemi duke shqyrtuar edhe platformat e ndryshme të ndihmesës për stafin mësimdhënës dhe nxënësit, sidomos në organizimin më të mirë të punës praktike në arsimin e mesëm profesional.