Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbështetur kolegun e saj partiak, Lutfi Haziri, pas deklaratave të tij për postin e kryeministrit të vendit.
Haziri ka deklaruar se “emri i kryeministrit kalon nëpër zyrat e LDK-së”, duke nxitur reagime nga zyrtarët e lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila doli e para në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, duke lënë pas Lidhjen.
“Nuk jam pro deklaratave që mund ta dëmtojnë frymën e mirë që është ndërtuar”, ka thënë fillimisht Osmani.
“Por, është gabim i madh që është krijuar përshtypje që një nënkryetar i LDK-së nuk paska të drejtë të japë një mendim personal”, ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7.
“Nënkryetarët e VV-së paskan të drejtë të flasin”, ka shtuar ajo, teksa ka mbrojtur Hazirin për deklaratat e tij.
Ajo çfarë Haziri ka thënë është “tejet evidente, proceduralisht”, ka vlerësuar Osmani.