Kryeministri Albin Kurti ka thënë se siguria në Evropë dhe në rajon pas invazionit dhe agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë, si dhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbizotëruan temat e takimeve që kishte gjatë tri ditëve të Forumit Ekonomik, në qytetin antik Delfi, në Greqi.
Kurit ka shkruar në Facebook se në ditën e parë të Forumit u takua me kryetarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, me të cilin biseduan mbi mundësitë e forcimit dhe përparimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona, përkundër pengesave politike.
“Me kryeshefin kkzekutiv të Forumit Ndërkombëtar të Fondeve Sovrane të Pasurisë (IFSËF), Duncan Bonfield diskutuam për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës dhe mënyrat se si IFSËF mund të na ndihmojë me dijen dhe përvojën e tyre. Në ditën e dytë takova Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, me të cilin biseduam për mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe hapat e ardhshëm në këtë proces. Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ma rikonfirmoi në takim mbështetjen e ShBA-së për Kosovën, sovranitetin e integritetin e saj territorial dhe për aspiratat për integrime evropiane dhe euroatlantike. Me Kryeshefin Ekzekutiv të Copelouzos Group, Christos Copelouzos folëm për mundësitë që Kosova ofron për investime, me fokus te burimet e ripërtëritshme të energjisë. Në takimet e ndara me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, diskutuam për avancimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes vendeve tona”, ka thënë ai, duke shtuar se në përmbyllje të Forumit, ka marrë pjesë në drekën e shtruar nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, kryetarin e Qeverisë së Bosnje Hercegovinës, Zoran Tegeltija dhe kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov.
“Gjatë drekës diskutuam për rëndësinë e luftimit të korrupsionit, demokratizimin e rajonit dhe integrimin evropian, si shtylla të domosdoshme për paqe e prosperitet në Ballkan. Biseduam për situatën në Ukrainë dhe për solidarizimin e mbështetjen për luftën çlirimtare të popullit ukrainas. Theksova që duhet të jemi syhapur karshi lidhjeve të gjera dhe të thella të Federatës Ruse dhe Serbisë dhe rrezikun që paraqesin për destabilizimin e rajonit. Për paqen dhe stabilitetin afatgjatë është i domosdoshëm integrimi sa më i shpejtë dhe i plotë i Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s. Bashkë me mua në Forumin Ekonomik të Delfit ishin edhe Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe udhëheqësi i Zyres së Interesave të Kosovës në Athinë, Fitim Gllareva. Gjatë Forumit pata edhe një bashkëbisedim me gazetaren e “Politico Europe” dhe Agjencisë së Lajmeve ANA, Nektaria Stamouli”, ka shkruar ai.