Tash një vjet Ministria e Shëndetësisë dhe OSHP janë duke luftuar në lidhje me blerjen e barnave.
Ministria e Shëndetësisë thirret në cilësinë e barnave dhe ligjin i cili përcakton blerjen e tyre me licencë apo siç njihet rregulli i Autorizim Marketingut.
Në anën tjetër OSHP thirret në disa raporte financiare të ekspertëve.
Kjo çështje ka mbërri deri të Kryeministri Albin Kurti i cili u deklarua në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë.
Ai tha se Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria shumë shpejt do ta japin një qëndrim lidhur me dy vendimet e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP”, që lejojnë blerjen e barnave pa Autorizim Marketing ose certifikatë të cilësisë.
Kryeministri tha se në këtë drejtim presin zbatimin e ligjit.
“Sa i përket vendimit të OSHP-së, ne si Qeveri e Republikës nuk preferojmë t’i komentojmë vendimet e organeve shtetërore. Presim që zbatimi i ligjit dhe i rregullave të jetë në shërbim interesit publik”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se vendimet duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe në interes të publikut.
Kurti u ndje i lehtësuar për këtë çështje me kthimin e ministrit Arben Vitia.
Ai bëri edhe batuta për emërimin e tij.
“Është hera e tretë që e emëroj, dhe e treta e vërteta mbase. Andaj ne duhet ta mbrojmë interesin publik, atëherë kur ky nuk është rasti, për këtë çështje konkrete besoj që Ministria, Qeveria shumë shpejt do ta kenë qëndrimin e vet, por unë edhe një herë po e theksoj që po vendime në përputhje me ligjin dhe rregullat, por gjithmonë në interes të publikut”, ka deklaruar Kurti.
OSHP të mërkurën e javës së kaluar sërish ka vendosur që të kontraktohen barna që nuk kanë Marketing Autorizim.
Institucioni që njihet si “Gjykatë e tenderëve” ka vendosur kundër Ministrisë së Shëndetësisë që kishte anuluar tenderin për furnizim me insulina. Ky tender ishte anuluar për disa arsye, por kryesorja ishte që kompania më e lirë në tender nuk kishte Autorizim Marketing, dokument që dëshmon kualitetin, efikasitetin e sigurinë e barnave.
Sërish OSHP-ja ka zgjedhur që ekspertizën për këtë çështje të mos e bëjë një ekspert i fushës së barnave, por ia ka lënë në dorë Agim Sheqirit, që është ekspert financiar.