Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë dhënë për gazetën malazeze “Pobjeda”, është pyetur edhe rreth akuzave të Serbisë për “terrorizimin e serbëve të Kosovës”, gjë për të cilën kreu i ekzekutivit ka thënë se faktet në Kosovë hedhin poshtë këto akuza, shkruan Reporteri.net.
“Gjatë dy viteve e gjysmë kemi shkatërruar gjashtëmbëdhjetë laboratorë droge, nëntë prej tyre në veri. Dua të them se terroristët që na sulmuan janë gjithashtu eksponentë të krimit të organizuar. Kur bëhet fjalë për “terrorin”, do të doja të flisja jo në nivel përshtypjesh dhe kualifikimesh, por në nivel faktesh”, tha Kurti.
“Cilat fakte? Duke qenë se ju keni refuzuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka qenë pyetja e radhës drejtuar Kurtit.
I pari i Qeverisë tha se kur flitet për Asociacion të komunave me shumicë serbe, Serbia nuk po kërkon Bashkimin e komunave, por territorializimin e saj, e që siç theksoi Kryeministri Kurti, synimi metoda dhe logjika janë të ngjashme me qëllimet dhe logjikën e Putinit.
“Unë kam folur disa herë për të dhe jam përpjekur të shpjegoj se për çfarë bëhet fjalë. Pra, kur flasim për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, nuk po flasim për të drejtën e serbëve në Republikën e Kosovës, por për territorializimin e kësaj të drejte. Synimi, metoda dhe logjika janë të ngjashme me qëllimet dhe logjikën despotike të Presidentit Vladimir Putin. Por le të kthehemi te faktet”, tha Kurti.
“Në Republikën e Kosovës, serbët përbëjnë katër për qind të popullsisë së përgjithshme. Megjithatë, ata janë në pushtet në 27 për qind të komunave të Kosovës, pra në dhjetë nga 38. Në të njëjtën kohë, ata kanë 17 për qind të këshilltarëve në të gjitha kuvendet komunale në Republikën e Kosovës; më shumë se nëntë për qind të vendeve në parlamentin shtetëror të Kosovës, pra 10 nga 120 deputetë. Ata gjithashtu kanë një mekanizëm ligjor për të bllokuar ligjet që ata besojnë se mund të kërcënojnë interesat e tyre jetike. Gjuha serbe është gjuha zyrtare në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha nivelet e administratës. Serbët kanë një ministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës – Nenad Rashiq, Ministër për Komunitete dhe Kthim – dhe tre zëvendësministra”
“Duke filluar nga shkurti i vitit 2023, Qeveria e Republikës së Kosovës ka rinovuar procesin e certifikimit të diplomave me Universitetin e Mitrovicës së Veriut. Deri në fund të vitit kjo procedurë do të bëhet në mënyrë elektronike dhe ne planifikojmë të sigurojmë që e njëjta të zbatohet edhe për diplomat e gjimnazit”, tha Kryeministri Kurti./Reporteri.net/