Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së sotme në Kuvend tha se “jo rastësisht po përmenden pagat e policëve para shtatorit kur dhe do të fillojë reciprociteti me Serbinë e policët do të jenë në veri”.
Ai u shpreh se parulla e VV-së, nuk ka qenë rritje e pagave, por punësim dhe drejtësi.
“Parulla jonë me te cilën kemi fituar në zgjedhje, ka qenë punësim dhe drejtësi, e jo rritje e pagave, ku ju keni garuar me rritje të pagave dhe keni humbur”, tha Kurti para deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Kryeministri gjithashtu u shpreh se rritja e pagave do të ishte kundër popullit, dhe se parullën që kanë premtuar partitë që kanë qenë në pushtet, nuk mund ta realizoj ai tani.
“Do të ishte kundër popullit, e kundër fitores qe kemi realizuar. Andaj, parullën tuaj s’mund t’ua realizoj unë. Ajo parullë ka humbë me 14 shkurt 2021”, shtoi Kurti.
Për këtë deklaratë, replikë për kryeministrin Kurti erdhi nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj e cila i tha se nëse nuk i rritë pagat e policëve, atëherë ai është me kriminelët.
“Nëse ti nuk iu rritë pagat policëve e shtator i çon në veri ti jë bashkë me qata kriminelet”, i tha Kadrijaj, Kryeministrit Kurti.