Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga Hannover Messe në Gjermani, i ka bërë thirrje mërgatës që të marrin pjesë në Regjistrimin e Popullsisë, shkruan Reporteri.net.
Kurti, përmes një video-mesazhi, i ka ofruar diasporës edhe ndihmë për t’u regjistruar.
Kurti ka thënë se rezultati i këtij regjistrimi do të diktojë 10-vjeçarin e ardhshëm.
“Kosova për herë të parë ka filluar regjistrimin online të diasporës. Është një proces i shkurtër dhe i drejtpërdrejtë, që gjithsej duhet të zgjasë rreth 10 minuta. E përfitimet nga ky regjistrim janë të thella dhe rezultatet e tij diktojnë 10 vjeçarin e ardhshëm.
Diaspora është shtyllë qendore e shtetit dhe shoqërisë sonë. Ajo gjithashtu duhet të jetë shtyllë qendrore e qeverisjes së shtetit.
Andaj, të dashur bashkatdhetarë, regjistrohuni në ediaspora.rks-gov.net deri më 17 maj”, tha Kurti mes tjerash.