Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu ka pritur në takim pune Drejtoreshën e Policisë Rajonale të Gjilanit, Elmina Mahmuti dhe komandantët e Stacioneve Policore, për rajonin e Gjilanit.
Temë diskutimi e këtij takimi ishte bashkëpunimi dhe koordinimi i aktiviteteve përmes planeve të përbashkëta të këtyre dy institucioneve, të cilët njëherësh edhe e vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm.
Gjithashtu, u diskutua edhe rreth komunikimit prokurori/polici gjatë kujdestarive, ndërsa nga kryeprokurori u kërkua që të trajtohen me prioritet rastet e korrupsionit, krimeve ekonomike dhe dhunës në familje, duke mos përjashtuar edhe rastet e tjera kriminale.
Takimi rezultoi me gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm dhe vazhdimin e takimeve të rregullta mujore.