Në vazhdën e vizitave në prokuroritë e vendit, Kryeprokurori i Shtetit, z. Zejnulla Gashi, së bashku me Zëvendëskryeprokurorin e Shtetit, z. Bahri Hyseni dhe prokurorin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Veton Shabani, sot ka zhvilluar vizitë zyrtare në Prokurorinë Themelor në Gjilan, ku është pritur në takim nga kryeprokurori z. Arben Kadriu dhe prokurorët e kësaj prokurorie.
Gjatë këtij takimi, Kryeprokurori i Shtetit ka vlerësuar këtë prokurori për performancën e treguar, me ç’rast ka kërkuar që të vazhdohet angazhimi profesional, veçanërisht në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, veprave penale kundër detyrës zyrtare dhe të gjitha veprave të tjera penale që bien në kompetencë lëndore dhe territoriale të kësaj prokurorie.
Në fokus të diskutimit mes Kryeprokurorit të Shtetit dhe prokurorëve të Prokurorisë Themelore në Gjilan ishin edhe çështjet si: themelimi i mekanizmave në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit me qëllim përmirësimin e cilësisë së punës brenda institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe mbrojtjen e integritetit dhe dinjitetit të prokurorëve; caktimi i prokurorëve mbikëqyrës nga ZKPSH-ja për Prokurorinë Themelore në Gjilan, si dhe sfidat reale me të cilat përballet kjo prokurori – veçanërisht ato që kanë të bëjnë me vonesat e ekspertizave nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Agjencia e Kosovës për Forenzikë (AKF).
Lidhur me këtë çështje, Kryeprokurori i Shtetit theksoi se shqetësimet e ngritura lidhur me vonesat në kryerjen e ekspertizave i ka adresuar në institucionet respektive, përkatësisht në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe shpreson që këto problematika do të marrin trajtimin e duhur institucional.
Në fund, Kryeprokurori i Shtetit u ka ofruar mbështetje profesionale dhe institucionale prokurorëve të Prokurorisë Themelore në Gjilan në kryerjen e detyrave të tyre në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.
#










