Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, z. Arben Kadriu, sot ka pritur në takim pune Drejtorin e Policisë Rajonale të Gjilanit, z. Agron Rukiqi, komandantët e stacioneve policore, për regjionin e Gjilanit, si dhe udhëheqësit e hetimeve në regjion dhe stacione policore.
Në takim u diskutua për ngritjen e bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe Policisë, për problemet dhe vështirësitë me të cilat përballen gjatë ushtrimit të detyrave këto dy institucione.
Gjithashtu, përpos tjerash u diskutua edhe situata e sigurisë, si dhe është shtruar nevoja që të koordinohen dhe të shtohen aktivitetet e përbashkëta me qëllim të luftimit të kriminalitetit në përgjithësi, derisa nga kryeprokurori është kërkuar që të trajtohen me prioritet rastet e dhunës në familje, grabitjet, vjedhjet e rënda dhe të gjitha format e tjera të kriminalitetit.
Në fund të takimit, të dy institucionet vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehën gatishmëri për bashkëpunim të mëtejmë.