Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, z. Arben Kadriu, ka pritur në takim pune Drejtorin e Policisë Rajonale të Gjilanit, z. Agron Rukiqi, komandantët e stacioneve policore, për regjionin e Gjilanit, udhëheqësit e hetimeve rajonale, si dhe përfaqësuesin e mbrojtësve të viktimave.
Në këtë takim morën pjesë edhe prokurorja koordinatore për dhunë në familje znj. Leonora Kadriu dhe prokurorë nga Departamenti i Krimeve të Rënda.
Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me ngritjen e bashkëpunimit në mes Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe Policisë, për problemet dhe vështirësitë me të cilat përballen gjatë ushtrimit të detyrave të tyre.
Përpos tjerash u diskutua edhe koordinimi dhe ndërmarrja e veprimeve sa i përket luftimit të kriminalitetit në përgjithësi, në fokus të veçantë trajtimi i rasteve të dhunës në familje, me qëllim të parandalimit dhe ofrimit të sigurisë së viktimave, ngritja e përgjegjësisë, dhe vlerësimi i rrezikshmërisë, me qëllim të ndërmarrjes së masave urgjente që në fazën fillestare të paraqitjes së rasteve.
Në fund të takimit, të dy institucionet vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehën gatishmëri për bashkëpunim të mëtutjeshëm.