Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot në orën 11:00, për të diskutuar një sërë çështjesh që lidhen me punën parlamentare.
Në këtë takim pritet të shqyrtohet propozimi për rendin e ditës së seancës së ardhshme plenare, si dhe të miratohet procesverbali i mbledhjes së kaluar.
Sipas agjendës së propozuar, gjatë seancës plenare parashihet të trajtohen procesverbalet e seancave të mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Ndër pikat kryesore është edhe përzgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, pritet të shqyrtohet formimi i komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e katër anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës: dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet joshumicë.
Në rend dite është përfshirë edhe propozimi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.










