Kryesuesi i Komisionit për Administrimin e Prokurorive në KPK, Jetish Maloku, priti në takim Kryeprokurorin e Mons-Tournait nga Belgjika, Vincent Macq, njëherësh ekspert i CEPEJ-it, eksperten e CEPEJ-it, Stephanie Lefeuvre dhe Udhëheqësin e Ekipit për Sundimin e Ligjit dhe të Drejtave Themelore në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nicola Scaramuzzo.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi për avancimin e shabllonëve që gjenerohen nga Sistemin për Menaxhimin Informativ të Lëndëve dhe identifikimi i sfidave aktuale gjatë përdorimit të këtyre shablloneve në SMIL.
Më këtë rast, z. Maloku falënderoi për vizitën përfaqësuesit e CEPEJ-it dhe Zyrës së BE-së në Kosovë, si dhe i ka njoftuar ata për mbajtjen e punëtorisë që ka pasur në fokus të veçantë futjen e të dhënave të cilësisë së lartë në SMIL për të mundësuar ripërdorimin e tyre gjatë përgatitjes së dokumenteve ligjore.
Nga ana tjetër, z. Macq, ka nënvizuar rëndësinë e përdorimit të shabllonëve në punën e përditshme të prokurorëve dhe përballimin e sfidave gjatë përdorimit të tyre dhe adresimin e vështirësive, ndërsa në përfundim të takimit të sotëm është arritur pajtimi që të formohet një grup punues, i cili do të merret me avancimin e shabllonëve aktualë, me qëllim që të pasqyrohen në SMIL.