Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, gjatë mbajtjes së Konferencës Vjetore të Prokurorëve, ka thënë se sistemi prokurorial ka arritur rezultate me të cilat mund të krenohemi.
Por, sipas tij, pavarësisht sukseseve, sistemin prokurorial e presin sfida të shumta për avancimin e të njëjtit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Së bashku do të vazhdojmë të ngrisim nivelin e llogaridhënies, efikasitetin për zgjidhjen e rasteve, do të punojmë me të gjitha trupat e këshillit, sekretariatin, me parterët vendor dhe ndërkombëtar”, ka thënë Maloku.
Pjesë e planeve të avancimit të sistemit prokurorial, Maloku ka thënë se do të jetë forcimi i integritetit të sistemit prokurorial, rekrutimi i prokurorëve, si dhe vlerësimi i performancës së prokurorëve.
Ai ka thënë se KPK ka lëshuar 200 vendime, ka hartuar rregullore që kanë të bëjnë me dosjen personale të prokurorëve, transferimin, avancimin e prokurorëve, ku gjatë vitit 2021, tha se është bërë vlerësimi i perfomancës për 65 prokuror.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës gjatë vitit 2021 ka trajtuar 14 kërkesa për fillim të procedurave disiplinore, kemi avancuar 9 prokuror në Departamente të DRK, në Departamentin për të Mitur, kemi transferuar prokuror sipas nevojës nga një prokurori në tjetrën”, ka thënë Maloku.
“Që të kemi besimin e publikut duhet të punojmë pa u ndalur dhe të krijojmë një ambient ku qytetari do të ketë qasje më të lehtë në drejtësi”, ka thënë Maloku. /BetimipërDrejtësi