Kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se të rinjtë duke parë pagën e mësimdhënësve, do të duan të bëhen shoferë e jo mësues.
Këto deklarata Jasharaj i ka bërë gjatë qëndrimit në çerdhen ‘Ardhmëria’ në Gjilan, ku tutje ka shtuar se ky projektligj për punëtorët e arsimit nuk do t’i dëmtojë vetëm ata, por edhe gjeneratat e reja.
‘Po shkoi ligji kështu, jo vetëm ne që jemi duke punuar dhe gjeneratat e moshës sime, por do të ia shohin sherrin edhe gjeneratat e reja, do të ia shohë sherrin këtij projektligji të keq edhe arsimi shqip në Kosovë, ngase gjeneratat duke e parë ku e ka vendin një mësues, askush nuk do të shkojë të bëhet mësues, por më lehtë do të shkojë të bëhet shofer, sepse u munduan të na lënë edhe më poshtë se shoferat e shtetit’, ka thënë Jasharaj.
Kryetari i SBASHK’ut ka theksuar se Ligji për Pagat është më së shumti degradues për institucionet parashkollore.
‘Këtë grevë e keni bërë të veçantë pikërisht ju çerdhet dhe e keni bërë me arsye, ngase projektligjin që e kemi vlerësuar si nënçues dhe degradues, më shumë se për të gjithë të tjerët ka qenë degradues dhe nënçmues për çerdhet, ngase ata që e kanë bërë (projektligjin) si duket nuk kanë qenë kurrë në çerdhe’, ka shtuar Jasharaj.
Ndryshe, greva e Sindikatës së Arsimtarëve sot ka hyrë në ditën e 11’të të saj dhe është bërë e ditur se nuk do të ndalojë, deri në plotësimin e kërkesës për rritje të koeficientit për 30 përqind.