Ky urim i bukur e domethënës i popullit tonë: rrofsh sa malet, më erdhi në mendje teksa një ditë po shkoja në këmbë nga shtëpia ime në lagjen “Dheu I Bardhë” drejt qendrës së qytetit ( nëse mund të quhet qendër). Gjatë rrugës hasa në asfalt të prerë ku ishin zhvilluar disa punime javë më parë dhe gjendja ishte si mos keq. Ishte prerë asfalti dhe nuk ishte kthyer në gjendjen e mëparshme. Vetëmse e kishin mbuluar me zhavor, cili “fjetur” teposhtë dhe ishte krijuar një pengesë ballore gogja e thellë, e që shkaktonte pengesa për kalimin si të veturave, ashtu edhe të këmbësorëve. Prerja e asfaltit vazhdonte teposhtë deri te udhëkryqi ku vazhdonte djathtas përgjatë rrugës ku më parë ishte ambulanca “Diagnoza”. Aty mu në udhëkryq ishin krijuar disa gropa të thella që të kujtonin gropat e minave të vendosura gjatë luftës nga serbët.
Pyesja veten, përse i nisin punët dhe i lënë ashtu përgjysmë, duke I shëmtuar rrugët dhe duke na torturuar neve qytetarëve? Nëse ka mungesë të fondeve, pse nuk presin derisa t’i sigurojnë ato e më pastaj të kryhen punët të plota dhe sa më shpejt që të jetë e mundur? Pyetja tjetër që më lindi ishte: sa muaj do t’i duhen Komunës së Gjilanit që të rregulloj një rrugë me disa qindra metra? Mendja ma thoshte: shuuumë kohë, jashtëzakonisht shuuuumë. M’u kujtua aksi rrugor nga “ Rruga e Ferizajit” deri në Livoç, ndërtimi i së cilës zgjati diku rreth tri vjet. Paramendojeni, tri vjet është dashur ta durojmë atë torturë plot me gropa e me pluhur deri në qiell. Ju lumtë, menaxhim se jo mahi. Kur më ra ndër mend që (mos)punime të tilla kanë nisur edhe prej Parkut të Qytetit përpjetë kah “Bujana”… o Zot edhe një torturë tjetër 2-3 vjeçare, plot pluhur, plot zhurmë, plot makineri në rrugë. Çfarë tmerri. Të mos flasim për “Rrugën e OSBE-së” së cilës muaj më pare i është gërryer asfalti dhe është lënë ashtu , ku kancerin e ke të sigurtë nga gjithë ajo sasi enorme e pluhurit. Për hirë të së vërtetës, kjo rrugë e ka edhe një të mirë: me gjithë ato gropa që i ka, mjafton ti biesh nja 3-4 herë me veturë dhe nëse ke gurë veshkë, patjetër se do t’i nxjerrësh jashtë.
Shtroj pyetjen: Kryetar, sa kohë do të ju nevojiten për t’I përmbushur premtimet e juaja të shumta elektorale? Sa kohë do të ju duhet për t’i bërë gjithë ato “punë të hajrit”? Duke e parë ritmin e punëve tuaja, mendja ma thotë se do të ju duhen disa jetë njerëzore, se me këtë jetën e vdekatarëve të zakonshëm, asesi nuk do ti arrini.
Atëherë nuk na mbetet tjetër, pos t’i drejtohemi të madhërishmit Zot me lutjen: o Zot, të lutemi, jepi kryetarit edhe nja 200 vjet jetë që t’i përmbushë premtimet e tij. Apo, mund ta themi edhe urimin shumë të përdorur tek ne: krytetar, rrofsh sa malet.
Durim Kadriu
KRYETAR, RROFSH SA MALET
Ndani këtë artikull