Asosacioni i Komunave të Kosovës pritet që së shpejti të mbajë takim ku edhe do të kërkohet heqja e orës policore si masë kundër COVID-19.
Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se janë në pritje të përfundimit të procedurave të pranim-dorëzimit të detyrave të kryetarëve në komunat e vendit pas zgjedhjeve të fundit lokale dhe pastaj do të organizojnë edhe takimin e parë konsultativ ku do të diskutohet për masat.
“Kërkesat që i kemi janë kërkesa zyrtare të Asosacionit të Komunave të Kosovës, po presim me përfundu edhe procedura e pranim-dorëzimit të detyrave të kryetarëve dhe javën e ardhshme pritet të mbajmë takimin e parë të Këshillit të Kryetarëve, ku do të prezentojmë edhe një hulumtim të Këshillit të Evropës sa i përket komunave dhe standardeve evropiane se a po i përmbushin komunat apo jo. Pas kësaj, do të kemi edhe një takim konsultativ sa i përket masave”, ka thënë Ibrahimi në një prononcim për lajmi.net.
Ai ka thënë se kërkesa e tyre është legjitime dhe se ora policore nuk ka ndonjë kuptim duke marrë parasysh shifrat aktuale të të infektuarve në vend.
“Kërkesa jonë është legjitime, kemi kërkuar që ora policore të hiqet. Nuk ka kurrfar kuptimi më me këtë numër të të infektuarve, me këtë diciplinë të qytetarëve, sepse shkaku i diciplinës të qytetarëve e kemi këtë numër, që një masë e tillë që nuk është në asnjë shtet as në rajon e as në Evropë të qëndrojë në fuqi, sidomos tash me ardhjen e diasporës”, ka thënë Ibrahimi.
Ai ka thënë se Asosacioni i Komunave të Kosovës është përqëndruar në tri çështje për të cilat do të kërkojnë reflektim nga institucionet.
“Jemi të koncentruar tek çështja e vaksinimit që ekipet mobile të dalin në fshatra e terren më shumë dhe të mos presin vetëm në qendra urbane. Pastaj e dyta është heqja e orës policore, pasi që nuk ka argument shkencor që kjo masë ndikon në rritjen e numrit të të infektuarve. Në fund, heqja e detyrimit për bartjen e maskës kur jeni duke ecur vetëm në ambient të jashtëm. Kur jeni duke ecur vetëm nuk ke nevojë të bartësh maskën, ajo mund të jetë e obligueshme në ambiente të brendshme, por jo jashtë. Ne kemi qenë në komunikim me asosacionet e Evropës Juglindore, askund nuk ka që kur jeni duke ecur vetëm në ambient të jashtëm të mbani maskat”, ka thënë Ibrahimi.
Ai ka thënë se edhe pas shtrëngimit të masave shkaku i përhapjes së variantit “Omicron” të virusit, në vende të huaja maska është bërë e obligueshme në ambiente të brendshme dhe transport publik, por jo në ambient të jashtëm kur qytetarët janë duke ecur vetëm.
Kujtojmë se ditë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër COVID-19, ndërsa ora policore ka mbetur ende në fuqi.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, masat e reja do të rrijnë në fuqi varësisht nga situata me pandeminë, por që nuk kanë mohuar mundësinë e lirimit apo shtrëngimit të tyre në të ardhmen e afërt. /Lajmi.net/