Kryetarët e komunave të Kosovës kërkojnë që shikohet mundësia për shkurtimin e fazës së dytë të masave.
Në një postim në faqën zyrtare, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar që faza e dytë e masave të rishikohet dhe të shkurtohet pasi që sipas tyre humbjet ekonomike mund të jenë edhe më të mëdha.
“Kryetarët kërkojnë që masat të rishikohen vetëm në përputhje me situatën, e cila situatë është duke u vlerësuar si pozitive për rishikimin e masave të fazës së dytë që është duke u larguar nga rreziku i shëndetit publik. Në këtë drejtim, duke u nisur edhe nga parimi edhe situata aktuale ekonomike, me tendenca që të kemi rënie të theksuar ekonomike, vlerësojmë se do të duhej që faza e dytë të rishikohet dhe që të shkurtohet. Humbjet ekonomike tashmë mund të jenë shumë të mëdha”, është thënë në njoftim.
Sipas kryetarëve të komunave, me lehtësimin e mëtutjeshëm të masave, qytetarët do të fillojnë të paguajnë edhe obligimet ndaj komunave.
“Së dyti, ne mendojmë që me lehtësimin edhe të mëtutjeshme të masave qytetarët do të fillojnë të paguajnë edhe obligimet ndaj komunave e të cilat obligime do e ngrisin inkasimin e të hyrave vetanake e të cilat mjete do të investohen në projekte të cilat do e përmirësojnë jetën e qytetarit.Kryetarët e Komunave, me këtë rast kërkojnë, që të vlerësohet ideja e shkurtimit të fazës së dytë dhe kalimit në fazën e tretë”, thuhet më tej në njoftim.