Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur sot në takim një delegacion të Komunës së Tetovës në krye me shefin e Kabinetit atje, Mensur Aliti.
Kryetari Hyseni ka falënderuar ata për vizitën, ndërkaq ka theksuar se kanë diskutuar dhe janë koordinuar për realizimin e projekteve të përbashkëta nëpërmjet fondeve të IPA-s.
“Diskutimi ynë kryesor është bërë lidhur me mundësitë e bashkëpunimit, sidomos me projektet që kanë të bëjnë me donatorë të ndryshëm ndërkombëtarë, në këtë rast edhe nga fondet e IPA-s. Ne u pajtuam që ka fusha me interes të përbashkët, me prioritetet që i kemi pasur të parapërcaktuara më herët, në kuadër të premtimeve elektorale. Ndërkaq, mundësia e bashkëpunimit besoj që e rritë edhe potencialin për të fituar projekte të përbashkëta dhe në këtë mënyrë mund ta thellojmë bashkëpunimin tonë, por edhe raportet e ndërsjella në mes të dy komunave”, ka deklaruar pas takimit kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Në emër të delegacionit nga Komuna e Tetovës ka folur shefi i Kabinetit të kryetarit atje, Mensur Aliti, i cili pasi e falënderoi kryetarin Hyseni për mikpritjen, tha se patën rastin që të diskutojnë për mundësitë dhee bashkëpunimin në mes dy komunave.
“E kemi situatën e ngjashme si komuna, posaçërisht jemi shumë të afërta me njëra-tjetrën dhe mendoj se me projektet të cilat na jepen mundësitë përmes IPA-s të bëjmë sa më shumë për qytetarët dhe u dakorduam që të kemi kontakte të rregullta”, ka thënë Aliti.