Për 3 javë rresht, “Flaka e Janarit 2023” nderoi martirët e kombit përmes vlerave të artit e aktiviteteve kulturore që bashkojnë grupe artistësh gjithandej trojeve tona shqiptare.
Në natën përmbyllëse, janë përzgjedhur më të dalluarit në të gjitha shtyllat e këtij Manifestimi Shumëkulturor, për festivalin e filmit të shkurtë, dramës, fotografisë, festivalin e muzikës popullore, festivalin e këngës për fëmijë e të gjitha aktiviteteve të tjera në shenjë nderimi të dëshmorëve, heronjve e martirëve të rënë për lirinë e Kosovës.
Për herë të parë, kemi organizuar paraprakisht 7 diskutime publike me komunitetin artistik lidhur me mënyrën, konceptin e organizimit të “Flakës së Janarit 2023” dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat janë ballafaquar në të kaluarën, 2 prej tyre të përgjithshme dhe 5 të veçanta për secilën shtyllë të këtij manifestimi. Jemi përkujdesur që kërkesat e dala nga këto diskutime, t’i shqyrtojmë e realizojmë për një program e manifestim sa më të pasur artistik.
Të dashur adhurues të kulturës, artit pamor, artit letrar e skenik, Ju faleminderit që ishit pjesë e “Flakës së Janarit 2023”.
Prezenca juaj madhështoi edicionin e 32-të të këtij manifestimi. Jam tejet falënderues ndaj ekipit të jashtëzakonshëm, me punën e pandalshme të të cilëve Flaka ndriçoi në Gjilan gjatë tërë Janarit.
Ne do të vazhdojmë të ndriçojmë të bëmat e Flakës së Janarit e ngjarjeve të tjera nga heronjtë tanë të pavdekshëm, ashtu që brezat e ri të mësojnë për historinë e lavdishme të popullit tonë.
Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit