Në qeverisjen tonë, projekti për sheshin e ri të qytetit, është tejet i rëndësishëm për të gjalleruar jetën e qytetit. Së bashku me këtë projekt, do bëhet dhe spostimi në një zonë tjetër i objektit të administratës komunale dhe ndertimit të një objekti të ri, qe ia liron qendrën e qytetit, sheshit të ri.
Sot, në UBT, me të cilen nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi javët e fundit, bashkë me profesorë të Planifikimit Urban, Ndrëtimtarise dhe Arkitekturës, diskutuam rreth këtyre projekteve që do i sjellin një pamje të re qendrës së Gjilanit. Në takim, ishin prezent dhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizëm dhe Mbrojtje e Mjedisit, Drejtorisë së Kadastër, Gjeodezi, Pronë dhe Drejtorisë së Sherbimeve Publike.
Temën e diskutimit e përqëndruam në gjetjen e praktikave më të përshtatshme që lidhen me këtë projekt si planin e mobilitetit dhe parkingjet nëntokësore. Në një kohë të shkurtër, profesorët e UBT, së bashku me studentët e këtij universiteti, do të përgatisin një projekt ideor, i cili mëtej do të finalizohet në një projekt final, bashkangjitur me kosto të projektit, afate kohore të realizimit dhe zgjidhjet ideale urbanistike.
Projekte të tilla, nuk do i mungojnë Gjilanit gjatë këtij mandati qeverisës, përtej situatës së vështirë aktuale, të krijuar nga borxhet e trashëguara. Objektivi ynë është transformimi dhe rigjallerimi i Gjilanit, si lider i Anamoravës dhe urë lidhëse strategjike mes rajoneve ndërkufitare.