Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me kryeministrin Albin Kurti, nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci dhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë, bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial në Krushë të Madhe, në 23-vjetorin e vrasjes së 241 banorëve të këtij fshati nga forcat serbe.
Me këtë rast të rënët nga një fjalë rasti i përkujtuan kryeministri Albin Kurti, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së në Rahovec, Ejup Kabashi dhe kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti.
Gjatë fjalimeve u kërkua që drejtësia për të vrarët e Krushës së Madhe të vihet në vend dhe kryerësit e këtyre krimeve të marrin dënimin e merituar.
Kryetari Konjufca po ashtu bëri homazhe në varrezat e martirëve të Krushës së Vogël, në 23-vjetorin e masakrës në këtë fshat, ku u vranë dhe u zhdukën 112 burra krushjanë.
Kryetari Konjufca bashkë me kryeministrin Kurti morën pjesë edhe në ceremoninë e rivarrimit të shtatë banorëve të Krushës së Vogël, të cilët deri më tani rezultonin të zhdukur me dhunë nga forcat pushtuese serbe.
Edhe në Krushë të Vogël u kërkua drejtësi për të gjitha krimet që u kryen jo vetëm në këtë fshat, por edhe në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, si dhe zbardhja e fatit të të gjithë personave të pagjetur. Nga një fjalë rasti në këtë ceremoni mbajtën kryeministri Albin Kurti, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti dhe kryetarja e fshatit Krushë e Vogël, Shpresa Shehu.
Po ashtu, në 23-vjetorin e masakrës ndaj familjes Berisha në Suharekë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, vizitoi anëtarët e mbijetuar nga kjo masakër. Ai vendosi lule dhe bëri homazhe te memoriali në sheshin “Martirët e lirisë” dhe vizitoi Muzeun e martirëve të familjes Berisha.