Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga ambasadori jorezident i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Danimarkës, Faruk Ajeti, priti në takim ministrin e Drejtësisë të Danimarkës, Peter Hummelgaard dhe Komisionin për Legjislacion të Parlamentit danez.
Kryetari Konjufca shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen sistematike të Danimarkës për Kosovën dhe vullnetin për të konkretizuar tutje bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve.
I pari i Kuvendit potencoi arritjet e Kosovës në shumë fusha. Duke përmendur hapat e ndërmarrë për të bërë Kosovën pjesë të familjes së madhe evropiane, kryetari Konjufca specifikoi se mbështetja e shteteve si Danimarka është shumë e rëndësishme në këtë rrugëtim.
Nënshkrimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes Kosovës dhe Danimarkës kryetari Konjufca e konsideroi hap shumë të rëndësishëm, e cila, siç tha, intensifikon bashkëpunimin midis dy shteteve në fushën e drejtësisë, por edhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët. Kreu i Kuvendit tha se ekziston vullnet i përgjithshëm për ta mbështetur këtë marrëveshje dhe për të filluar sa më parë implementimin e saj.
Arritja e kësaj marrëveshjeje të bashkëpunimit u vlerësua mjaft e rëndësishme edhe nga përfaqësuesit e Parlamentit të Danimarkës dhe ministri danez i Drejtësisë, meqë, siç u tha në takim, një marrëveshje e tillë është hap konkret i vazhdimësisë së bashkëpunimit të mirëfilltë midis dy shteteve.
Ndër të tjera, anëtarë të delegacionit danez theksuan se parlamenti i tyre do të shkëmbejë përvoja me Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe do ta mbështes Kosovën në fushën e drejtësisë e në segmente të tjera, siç është procesi i integrimit euro-atlantik.