Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe drejtoreshën e DKA-së, Selvete Sylejmani, kanë bashkëbiseduar me drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit, me qëllim të përmirësimit të gjendjes në sektorit të arsimit.
Kryetari Hyseni, pasi falënderoi ministren Nagavci për vizitën, ka thënë se pas skanimit të gjendjes në sektorin e arsimit, kanë përpiluar një program në bazë të këtyre kërkesave.
“Pavarësisht kësaj, pa bashkëpunimin e ngushtë me mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, pa bashkëpunimin tonë si qeverisje komunale me MASHTín, ndryshimet e nevojshme në arsim por edhe për plotësimin e nevojave, janë të pamundura. Ky takim sot, i inicuar edhe nga ministrja Nagavci, i shërben po kësaj kauze – përgatitjet, nevojat dhe një lloj kontakti i drejtpërdrejt me mësimdhënësit, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë ta ndryshojmë gjendjen e arsimit në Kosovë”, ka thënë kryetari Hyseni.
Ndërsa, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, pasi vlerësoi lartë punën e mësimdhënësve, tha se qëllimi i takimeve që po zhvillojnë në komunat e Kosovës është që të flasin bashkë me mësuesit mbi atë që po bënë MASHT-i për fillimin e suksesshëm të vitit shkollor.
“Përkundër çfarëdo investimi që mund të bëhet, qoftë nga niveli qëndror apo ai lokal, jam e bindur që janë mësuesit, arsimtarët e profesorët ata që e kanë përgjegjësinë dhe barrën më të madhe në mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe me suksesin e nxënësve në përgjigjësi. Ky është edhe qëllimi i këtyre takimeve që po zhvillojmë në të gjitha komunat dhe të flasim për atë që po bëjmë ne si MASHT, për politikat e reja dhe që të fillojmë me sukses vitin e ri shkollor”, ka thënë ministrja Nagavci.
Drejtoresha e DKA-së, Selvete Sylejmani, ka thënë se nevojat për arsim janë shumë të mëdha, për të shtuar se duke e pasur parasysh këtë fakt, atëherë nevoja për një zingjir të përbashkët shkollë-Drejtori e Arsimit-Komunë-Ministri, është shumë e rëndësishme.