Më 20 qershor, në ambientet e Galerisë së Arteve në Gjilan, u hap ekspozita personale e artistit të njohur Gani Bytyçi, me titullin “Anatomia e dhimbjes”, kuruar nga Demush R. Avdimetaj.
Ngjarja u hap në prani të kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, i cili përshëndeti iniciativën dhe vlerësoi rëndësinë e përkrahjes së artit dhe kulturës në jetën publike. Ai theksoi se Gjilani mbetet një qytet që e çmon dhe e nxit krijimtarinë artistike.
Ekspozita sjell një cikël veprash që trajtojnë dhimbjen si përvojë universale njerëzore, përmes një gjuhe vizuale të thellë dhe të ndjeshme. Me një qasje të theksuar konceptuale, Bytyçi i fton vizitorët të reflektojnë mbi trupin, kujtesën dhe plagët e padukshme që bartim si individë dhe si shoqëri.
Të pranishëm ishin edhe artdashës, përfaqësues të institucioneve kulturore dhe qytetarë, të cilët vlerësuan fuqinë emocionale dhe autenticitetin e veprave të ekspozuara.