Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me nënkryetaren Leonora Morina Bunjaku dhe drejtorët komunalë, Albana Demiri (DKA) dhe Enver Shabani (DZHE), kanë inauguruar renovimet në shkollën fillore të mesme të ulët “Rexhep Elmazi”.
Kryetari Hyseni tha se këto investime që janë bërë tash, nuk janë bërë në 20 vitet e fundit, duke shtuar se përpos që sjellim ndryshim në kuptimin e infrastrukturës dhe asaj që duket vizuelisht, do të sjellim ndryshime edhe përmbajtësisht në procesin e mësimor, por edhe në mësim-nxënie.
“Janë dy projekte që janë realizuar në të njëjtën kohë. Projekti i parë ka qenë me Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë, në kuadër të të cilit është bërë termo-izolimi në gjithë objektin, ndërrimi i dyerve dhe dritareve, izolimi i kulmit si dhe intervenimi në sistemin e ngrohjes, ndryshimin e metodës së ngrohjes nga dru në pelet. Është bërë, po ashtu, lyerja e gjithë objektit, pra një renovim i brendshëm në kuadër të Komunës, përfshirë renovimin e dyshemeve në disa klasa, nyjet sanitare, ndërrimin e tabelave që përdoren për shkrim, ndryshimi i sistemit të ndriçimit dhe disa çështje të tjera”, ka thënë kryetari Hyseni.
Kryetari Hyseni ka paralajmëruar se do të bëhen investime aty edhe te pjesa e laboratorëve, në fushën e shkencave të natyrës dhe lëmive të tjera.
Drejtori i shkollës fillore të mesme të ulët “Rexhep Elmazi”, Nevzat Nevzati, ka falënderuar kryetarin Hyseni për mbështetjen e madhe të ofruar, duke shtuar punimet do të vazhdojnë në planin zhvillimor të shkollës në aspektin e digjitalizimit.
Përndryshe, vlera totale e investimeve në këtë shkollë është 216 mijë euro.