Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka vizituar sot kompaninë rajonale të ujit ‘Hidromorava’, ku është njoftuar me gjendjen dhe sfidat e furnizimit me ujë dhe është shprehur i bindur se më në fund ky problem do të zgjidhet.
‘Besoj se tash së shpejti do të vjen në Kuvend marrëveshja ‘Flow’ për ujin e pijes, e cila është në proces dhe me sa di unë, janë të planifikuara disa mjete buxhetore edhe për vitin e ardhshëm. Projekti ka filluar së zbatuari, prandaj nevojitet një bashkëpunim dhe koordinim i ndërsjellë i Komunës me kompaninë’, ka thënë fillimisht kryetari Hyseni.
Ai beson se me këtë projekt, Gjilani do ta zgjidhë më në fund problemin e ujit të pijes.
‘Duket se më në fund po zgjidhet problemi i ujit të pijes për komunën tonë dhe mbase edhe më gjerë, meqë është një projekt me të cilin mund të bëhet shumë punë’, ka nënvizuar tutje Hyseni.
Në të njëjtën kohë do të punohet në zgjidhjen e problemit të ujërave të zeza.
‘Për impiantin kemi diskutuar edhe me ish-kryetarin e Komunës, në takimin që patëm dhe ai më tha se çështja e shpronësimit është e kryer dhe mbetet me u pa nëse pajtohen banorët me vlerësimin. Po ashtu, me sa duket edhe një pjesë e mjeteve buxhetore janë të ndara për vitin e ardhshëm për nevoja të shpronësimit’, ka thënë ai.
Për më tepër, Hyseni nënvizoi se uji i pijes dhe ujërat e zeza konsiderohen dy sfida të mëdha, prandaj ka kërkuar që menaxhimi i projekteve të përbashkëta në të ardhmen të jetë i kujdesshëm.