Kryetari i Komunēs sē Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport Kushtrim Zeqirin dhe me ish-shefin për Informim të Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së Ismet Sylejmanin, kanë vizituar familjen e Stane Gashit në fshatin Brus.
Ata janë pritur nga nëna e UÇK-së Stane Gashi, me djemtë e saj ushtarë të UÇK-së: Filipin, Fatmirin e Viktorin dhe vajzat e saj ndihmëst e saj që e ndihmonin të ushqente me bukë ushtarët e UÇK-së: File dhe Vera.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se: lufta për liri gjithmonë ka qenë e lidhur me sakrifica të mëdha dhe figura të paharrueshme të heronjve dhe heroinave, shumë prej të cilëve mbeten të panjohur për publikun e gjerë.
Më tej ai shtoi se nëna Stane është një simbol i jashtëzakonshëm i sakrificës dhe guximit. Në shtëpinë e saj janë strehuar dhe ushqyer qindra luftëtarë të UÇK-së, përfshirë tre komandantë të zonave operative. Nga duart e saj të bekuara kanë kaluar edhe gjashtë dëshmorë të kombit, që sakrifikuan jetën për lirinë e atdheut.
“Kontributi i saj i heshtur, por i jashtëzakonshëm, është një shtyllë e luftës për bashkimin dhe lirinë e shqiptarëve. Nëna Stane është një heroinë e gjallë, një burim frymëzimi dhe krenarie kombëtare që meriton nderimin dhe mirënjohjen e përhershme”, tha kryetari Alban Hyseni.