Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka ndërmarrë një veprim të paprecedentë duke shkarkuar nga detyra 10 drejtorë dhe zëvendësdrejtorë komunalë. Ndërsa disa prej tyre janë larguar plotësisht nga pozitat udhëheqëse, të tjerët janë sistemuar nëpër institucione arsimore në lokalitete rurale të komunës.
Vendimi vjen në një kohë kur performanca e një pjese të tyre ishte vlerësuar si pozitive nga komuniteti dhe vetë institucionet përkatëse, çka ka ngjallur reagime dhe diskutime në opinionin lokal.
Përplasje në Kuvendin Komunal: fajësohet edhe opozita
Ndërkohë, në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Gjilanit, nuk është arritur të miratohet komisioni për vlerësimin e mandatit të drejtorëve, duke ndikuar në pasigurinë institucionale dhe përshpejtimin e vendimeve të ekzekutivit.
Partitë opozitare, LDK dhe PDK, nuk e kanë mbështetur formimin e këtij komisioni, çka sipas burimeve të brendshme në administratë, ka kontribuar në krijimin e një vakumi institucional dhe rrjedhimisht në vendimet për shkarkime të njëanshme.
Debat për motivet: performanca apo llogaridhënia politike?
Burime të afërta me administratën komunale thonë se shkarkimet nuk lidhen domosdoshmërisht me performancën profesionale të të shkarkuarve, por më shumë me ristrukturimin e brendshëm dhe nevojën për “rigjallërim” të shërbimeve publike.
Nga ana tjetër, kritikët e kryetarit Hyseni e shohin këtë lëvizje si të motivuar politikisht, në funksion të konsolidimit të kontrollit të tij mbi sektorët kyç të administratës komunale./Radio Star/