Në shënim të 1 qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve Asambleja e Fëmijëve të Gjilanit dhe grupi Respect Our Right (ROR), kanë mbajtur sot një takim të organizuar nga Njësia për të Drejtat e Njeriut, në ngjarjen ku mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni, nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, e përfaqësues të tjerë të organizatave jo qeveritare.
Kryetari Hyseni ka përgëzuar fëmijët aktivë të Gjilanit për angazhimin për të drejtat e tyre dhe të bashkëmoshatarëve.
“Është tejet frymëzuese dhe shpresëdhënëse që fëmijët të cilët janë edhe aktivë, por edhe të gatshëm që të punojnë dhe të angazhohen për të drejtat e tyre dhe të bashkëmoshatarëve. Ndërkaq, është dëshpëruese në anën tjetër që ne politikanët në të shumtën e rasteve e kemi gojën plot për të rinjtë e për të ardhmen, derisa puna është thuajse inekzistente”, ka thënë me këtë rast kryetari Hyseni
Kryetari Hyseni ka theksuar se po punohet që secila shkollë të ketë një psikolog, derisa ka përmendur fillimin e digjitalizimit të bibliotekës “Fan S. Noli” si mundësi e madhe për nxënësit e studentët, sikurse edhe investimet në kabinete në shkolla, ku do të ndikohet për ngritje të cilësisë.
Zyrtarja për të drejtat e fëmijëve, Hanumshahe Rexhepaj, tha se Komuna e Gjilanit është mbështetëse e fuqishme e funksionimit të Asamblesë së Fëmijëve, duke shtuar se qëllimi është mbrojtja dhe avokimi për të drejtat e fëmijëve si dhe përfaqësimi i interesave të të gjithë fëmijëve të komunës, pa dallim race, moshe, gjinie, nacionaliteti apo besim fetar.
Në këtë ngjarje kanë folur edhe Drion Shaqiri nga grupi Respect Our Right (ROR) dhe kryetarja e Asamblesë së Fëmijëve, Morea Rexhepi, të cilët kanë uruar të gjithë fëmijët që të jenë të buzëqeshur dhe të shkëlqejnë me sukseset e tyre, derisa kanë kërkuar nga drejtuesit institucionalë që të bëhet më shumë për të drejtat e tyre.
Ata kanë prezantuar të gjeturat e raportit “Zërat e Rinj”, që reflekton ndjenjat dhe perspektivat e mbi 1200 fëmijëve në mbarë Kosovën për sigurinë, bullizmin, shëndetin mendor dhe pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje.
Në fund, kreu i Gjilanit, Alban Hyseni, u është përgjigjur të gjitha pyetjeve dhe interesimeve të fëmijëve prezentë.