Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me kryesuesin e Kuvendit, Arianit Sadiku dhe bashkëpunëtorë të tjerë komunalë, ka vizituar fshatin Pogragjë, për të parë nga afër dëmet e shkaktuar nga reshjet e fundit.
Ai i ka siguruar banorët se vlerësimi i dëmeve do të fillojë së shpejti dhe pastaj do të pasojë një kompensim sipas mundësive buxhetore të Komunës. Ndihmë do të kërkohet edhe nga institucionet qendrore.
“Sot inspektuam dëmet e shkaktuara nga reshjet në fshatin Pogragjë dhe zonat përreth, bashkë me kryesuesin e Kuvendit, Arianit Sadiku, drejtorin për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bejtullah Osmani dhe disa asamblistë.
Komisioni për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, do të fillojë punën për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara, pas përfundimit të të cilit do të ndihmojmë qytetarët tanë dhe do të kompensojmë dëmet bazuar në mundësitë tona komunale si dhe duke kërkuar ndihmën e institucioneve qendrore”, ka thënë kryetari Hyseni.